AI QË MËSOI NGA JETA DHE PERBALLOI JETEN ME URTESI
Me rastin e 70-vjetorit te lindjes
"Fterra jone" Nr. 39 – qershor 2004
Jeta nuk është fushë me lule. Madje as ka qenë e as mund të jetë e tillë. Mençuria e popullit thotë: "Pa halle mos na lëntë,
por hall mbi hall mos na dhëntë”! Por i mirë dhe i zoti është ai që di të përballojë detyrat e hallet e jetës, dhe të
shkollimit, dhe të ndërtimit të familjes, dhe të punës që mban jetën, dhe të rritë e të edukojë fëmijë, dhe të dijë të ndërtojë
shoqëri e miqësi, dhe të jetë njeri midis njerëzve, e qytetar midis qytetarëve.
Rexho Kurupi është një nga fteriotët e veçantë që, dhe i ri, dhe burrë, dhe tani në moshën e tretë; madje që kur ngeli jetim
pa nënë dhe i varfër ekonomikisht, arriti të mbijetojë, të studiojë, të shkojë në shkollë në Tiranë, madje deri dhe për studime
të larta në Gjermani. Arriti të bëhet dhe inxhinier me emër në gjeologji, special¬ist i zoti dhe drejtues i aftë, punonjës
politik i shquar për kohën në të cilën jetoi.
Në filozofi ka një mençuri që thotë: Të gjithë jemi prodhim i kohës që jetojmë. Edhe Rexhua kështu ka qenë e kështu është.
Madje kështu kanë qenë e kështu janë fteriotët tanë të mirë. Sigurisht, si të gjithë të mirët e shoqërisë. Ose, më saktë,
si pjesa e kultivuar dhe e civilizuar e njerëzve të përparuar, që kanë dashur e duam të renë, që e përqafojnë dhe punojmë
për atë që është përparimtare.
Na erdhi kjo rezyme në kujtesë në ditën e lindjes së Rexhos, ditë që frymëzoi këtë shkrim në këtë 70 vjetor të vitlindjes
së tij, në 10 maj të këtij viti. Kjo është një arsye më shumë që ne t'i urojmë: Të rrojë sa më gjatë! Se njerëzit e mirë gjatë
duhet të rrojnë; se është mirë dhe për familjen, dhe për miqësinë, dhe për njerëzinë. Deshëm t'i uronim edhe në një "ceremoni",
por Rexhua s'na lejoi që s'na lejoi të organizonim një aktivitet të tillë.
- Unë,- na tha, - do të bëj "gabimin" e Safet Memit, që është shumë e më shumë se unë. Edhe Safeti këtë "gabim" bëri vitin
e kaluar, kur kishte ditëlindjen në 80 e ca vjetor.
* * *
Tani Rexhua është thinjur. Edhe flokët i ka rënë jo pak. Madje flokët kanë filluar t'i bien që në rini. Është çështje trashëgimie,
e ndofta dhe çështje hallesh. Nëna e tij e la jetim kur sa ishte bërë 10 vjeç. Ajo vdiq se u thye në kryqe, kur ngarkoi ritën
e vajit nga shtëpia e Qazos për në Rimin e Kurupe. E qau siç qan fëmija Nënën. Fëmija qan për Nënën, dhe kur ajo ikën nga
shtëpia për në punë, por nuk merret dot me mend se sa i qan zemra fëmijës kur Nëna i ikën përjetë.
Në ditët e para një e më dy i shkonte dhe tek varri, duke qarë e duke u lutur: Nënë! Ku më le mua? Apo deshe më shumë Saimenë?
(Saimeja ishte motra e tij që kishte vdekur 6 vjeçe). Dhe ngashërehej e ngashërehej tek koka e varrit, deri sa dikush vinte
e merrte nga Ngurrëza dhe e binte në Kurupaj. I ati, Arifi, nuk i thoshte dot asnjë fjalë, veç e fuste në gjoks, duke e shtrënguar
fort e më fort e duke i thënë: Të ka xhan Baboçi. Ndaj mos shko më vetëm tek varri, se do të vemi bashkë. Por fëmija 10 vjeçar
"harronte" e shkonte, se e digjte malli për nënë Rakibenë. Ndaj dhe humbja e Nënës mbeti pikëllimi më i madh në jetën e Rexhos.
Ishte viti 1946. Jeta e imponoi Arifin te martohej. Mori për grua Manushen. Kështu, Rexhua u bë me njerkë, një emër që dhe
kur e dëgjon të shqetëson. Por zemra e lënduar e Rexhos e bëri Manushen "Nënë të dytë", se dhe njerka e bëri Rexhon "djalë
të parë" të saj, As Manushja s'i vrerti vetullat me Rexhon e as Rexhua nuk i ngrysi vetullat me Manushen.
Mësues Neimi i bërtiste në shkollë se Rexhua një ditë shkonte në shkollë e një ditë shkonte me kecër. Kështu bënin dhe disa
nga shokët e tij të fëmijërisë, si Musai e Serani. Himet Maçi e bëri pjesëtar të shtëpisë së tij. Qullash hanin Hasua e Musai,
me ta bashkë hante dhe Rexhua. Me gjithë se në fukarallëk, Xha Himeti nuk e gremisi një herë gojën e nuk e theu njëherë zemrën.
Eh,- thotë Rexhua,- sa zemërbardhë ishte ai njeri!
Gjyshja, Hankua dhe i ati, Arifi, një ditë behari i thanë: Sivjet do të vesh në shkollën unike, se nuk do të vuash dhe ti
si ne. Dhe kështu u bë. Rexhua filloi shkollën 7-vjeçare në Kuç. Mirëpo Arifin shteti e mori tre muaj ushtar në Vlorë. Fëmijëria
iu bë më e vështirë. Tani i duhej të ndërpriste shkollën. I duhej të vente me bagëti, se dhitë mbetën pa çoban. Mirëpo gjyshe
Ankua i tha: Me dhi do të vete unë gjyshja jote, se ti, o Bir, do të vesh në shkollë. Kështu bashkë me Ahmetin dhe Hulësiun
vazhdoi dhe mbaroi 7-vjeçaren e Kuçit. Të tre së bashku banonin në një dhomë të shkollës. Zjarrin e ndiznin në një karrocë
dore, bërë si vatër me baltë e gurë. Lexonin nën dritën e kandilit apo fenerit me vajguri. Këtu u miqësua dhe me shokët e
klasës, kuçjotët Hasan Luçi e Shyqyri Alia.
- Tani që mbarove mirë me mësime, do të vazhdosh dhe shkollën e mesme në Tiranë, - i tha i Ati. Mëso për vete e... lëna ne...se
ne këtu kemi për ta ngrysur jetën.
Dhe kështu vjeshta e vitit 1951 e gjeti në "Politeknikumin 7- Nëntori", në degën minerale. E zgjodhi këtë degë, se këtë degë
kishte zgjedhur dhe Vehapi i Xha Nedinit, me shtëpinë ngjitur pranë. Tani Rexhos iu shtua me shumë zelli për të mësuar. Ky
zell e bëri që, pas katër vjetësh, diploma e tij të firmosej nga Ministri i Arsimit të asaj kohe, Ramiz Alia. Edhe nevoja
ekonomike, edhe sipas thirrjes që iu bë, nisi punën në pikën gjeologjike në Kamë të Tropojës, ku punoi 3 vjet rresht.
Por Rexhos tani i ishte shtuar "oreksi" për shkollë të lartë. Kriteret i plotësonte më së miri. Mehmet Rama e ldris Mulosmani,
të parët e rrethit Tropojë, i dhanë bursë jashtë shtetit. Dhe djali i Xha Arifit, Rexhua erdhi dita t'i hipi aeroplanit e
të shkojë në Laipsig e Saksoni për studime të larta, ku studioi tre vjet. Por "politika e kohës" e ktheu në Tiranë. Ndërprerja
e bursës në Gjermani mbetet dëshpërimi më i madh në jetën e tij. Tashme Rexhua edhe ishte martuar. Ndaj iu desh që edhe të
punonte edhe te studionte në Universitetin Tiranë, po për gjeologji. Këtu iu gjendën Ali Progri dhe Ismet Elezi. Ndaj u fut
në punë në laborator në Universitet, ku vazhdoi dhe studimet e rregullta. U emërua si bashkëpunëtor shkencor. Ishte dhe student,
por ishte bërë edhe burrë, edhe baba. Kultura gjermane iu bë baze e shëndoshë për sukses e për progres. Se jeta është rregull.
Dhe vitet ecnin. Bashkë me to përparonte dhe Rexhua, se tashmë i kishte kapërcyer vështirësitë më të mëdha. Tani ishte bërë
zot i vetes, ishte inxhinier gjeolog i zoti për minerale të rralla apo të çmuara, madje kishte fituar dhe emër, duke studiuar
tërë zonën shkëmbore e ranore. Studioi rërën e bregut të detit nga Velipoja në Vjosë dhe deri te shkëmbinjtë rrënjësor, nga
dalin metale të çmuara, metale të rralla. Rëra duket e thjeshtë,- argumenton Ing. Rexho,- por nuk është aq e thjeshtë. Drejtoi
me aftësi ekspedita të rëndësishme. Drejtoi sektorë prodhimi. Drejtoi, si sekretar i Komitetit të Partisë, pesë miniera bashkë:
Valias, Kërrabë, Mushqeta, Mëzez, Priskë, që kishin një armatë inxhinierësh me 5-6 mijë punëtorë. Dhe Rexhua ia doli punës
faqebardhë deri sa doli në pension në vitin 1990.
Rexhua në 70 vjetorin e vitlindjes së tij, e kthen kujtesën në vite. Jetën e ka të pastër si ujët e Ngurrëzës, ku pi një fshat
i tërë. Kujton vështirësitë në fëmijëri e në rini. Por më vonë kujton dhe gëzime. I pari gëzim është krijimi i familjes. Gëzim
të veçantë ndjeu kur u bë baba me vajzën e parë, Melin, më 2 nëntor 1958, kur ishte student në Gjermani, duke lexuar telegramin
e dërguar nga Refiku prej Tirane. Jetës së tij i ka dhënë gëzim Zarifeja, gruaja e tij, e cila iu përkushtua Rexhos, Amelisë,
Markelinës dhe Djalit, Auronit, ashtu siç iu përkushtua dhe luleve në serën e kopshtit botanik në Tiranë për 25 vjet, pa ndërprerë
një ditë. Tani mbetet e pasionuar pas nipërve e mbesave dhe luleve në shtëpi, që u flet me emra latinisht
Kujton Rexhua momentin kur pranoi emrin Ameli, që ia propozoi një student jordanez në Lajpsig, që kishte me këtë emër motrën
e mirë të tij, ashtu siç i vjen ndër mend Markelina kur mori emrin arkeologjik që u zbulua në Apol1oni në 1963 dhe djalin
që ia caktoi Hamleti, emrin Auron.
Gëzim ka ndjerë Inxhinier Rexhua sa herë zbulonte diçka në thellësi të tokës, por dhe sa herë bënte mirë për këtë ose atë
njeri. I bëhet zemra mal kur i mbushet shtëpia me nipër e mbesa, me dhëndurët, Feksorin e Besnikun dhe nusen e Auronit, Aferditën
nga Gora, bijën e Bexhetit, që të kënaq dhe me bejte gëzimi. Te Rexhua gjen harmoni me nuse e dhëndurë, me krushqi e miqësi,
me fteriotë e me shoqërinë e tij të gjerë. Është kjo harmoni që e bën të jetë i gëzuar me jetën e tij të ndershme e të thjeshtë.
Rexhua ka vepruar mirë e për mirë, madje nuk e prishte as me atë që ishte i lig. Nuk thonë kot: bëmë, o babë, të të ngjaj.
Se Rexhua është biri i shquar i Arif "dedesë" ..
Punoi me nder, pa bërë kurrë zhurmë, pa ia bërë në asnjë çast vetes "me sy". Bilanci i 70 vjetorit të ditëlindjes së tij tregon
se ka qenë i ndershëm dhe i drejtë me veten dhe me të tjerët. Ndaj Rexhua nuk ka asnjë vërejtje, qoftë dhe shoqërore, e asnjë
lloj mase ndëshkimore, as në punë e as në jetë, kur, atëherë, ishte vështirë të shpëtoj e "pa u lagur".



|